Kur Zoti kaloi këtej, u pengua dhe i ranë të gjitha mrekullitë në një vend. Kështu krenohet me të drejtë çdo pogradecar që rreket të tregojë me vetëm një fjali se çfarë pasurish fsheh kjo zonë. Të mjaftojnë vetëm pak orë në Pogradec, për ta kuptuar që një deklaratë e tillë nuk është thjeshtë një “patriotizëm i shfrenuar”, por një e vërtetë e madhe. Kur zbret nga Qafë Thana, para syve të hapet një panoramë si një ëndërr: ujrat blu të liqenit, ngacmuar nga kafeja e zbehtë e kallamishteve që u bëjnë hije, kreshtat gri të maleve dhe kodrave përreth me qeleshet e bardha prej dëbore ngjeshur në majë. Ndërsa i afrohesh Liqenit nuk mund t’i shpëtosh ngasjes për të vizituar fshatin Lin në gadishullin me të njëjtin emër. Aty ndodhen rrënojat dhe mozaiku i një kishe të lashtë. Dhe bregu i Liqenit është një dashuri më vete.
Vizitat në Drilon dhe Tushemisht të përforcojnë bindjen se Zoti është treguar ‘dorëlëshuar‘ me këtë vend në të gjithë hapësirën e tij. Panorama, historia, ushqimi, të gjitha renditen si gurë xhevahiri. Kushdo që kalon në Pogradec ndalon qoftë edhe thjesht për të shijuar tavën me koran, peshkun ngjyrë portokalli dhe shije unike. Por, Pogradeci dhe liqeni i ‘tij’ kanë ende thesare të fshehura dhe të parrëfyera që priten t’i shfaqen botës. Sipas arkeologëve ujorë, palafitet (shtëpi druri mbi ujë) e zbuluara së fundi përgjatë bregut shqiptar të liqenit do ta ndryshojnë historinë jo vetëm të zonës, por edhe të rajonit.
Ekzistencën e vlerave të jashtëzakonshme të kësaj zone e konfirmoi edhe UNESCO kur katër vite më parë e futi në listën e pasurisë botërore pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit. Historia e pranimit të liqenit të Ohrit në Listën e UNESCOs, ka zgjatur mbi 40 vjet, dhe ashtu si në shumë fusha të tjera, edhe këtë herë Shqipëria ishte e vonuara. Pjesa e liqenit që lag brigjet e Maqedonisë së Veriut është bërë pjesë e pasurisë botërore që në vitin 1979, ndërsa pjesa shqiptare iu bashkua më 2019. Megjithëse prej katër vitësh liqeni i Ohrit është pjesë e UNESCO-s, ende asnjë shenjë, asnjë tabelë në Pogradec nuk e “njofton” këtë. Me sa duket, pushteti vendor në këto katër vite ka qenë i zënë me punë shumë më të rëndësishme se sa vendosja e një tabele informuese në hyrje të qytetit të Pogradecit.
Ohri, liqeni që bashkon dhe ndan dy shtete
Kufijtë e liqeneve ndodh të mos përputhen me kufijtë politikë dhe administrativë. Kështu Liqeni i Ohrit është ‘i ndarë’ mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, madje vetë ujrat e liqenit janë kufiri mes dy shteteve. Nje e treta ndodhet ne Shqipëri dhe dy të tretat ndodhet në Maqedoninë e Veriut. Liqeni i Ohrit ka një vijë bregliqenore 87.5 km dhe mbulon një zone rreth 358 km katrore, nga e cila 249 km2 i përksasin Maqedonisë dhe 109 km katrorë Shqipërisë. Kur përfshihen dy ose më shumë kombe, çështjet e menaxhimit të ujrave janë komplekse dhe kërkojnë bashkëpunim dhe ndërveprim të vazhdueshëm, përndryshe, masat positive të ndërmarra nga vetëm njëri prej shteteve ka pak gjasa që të ndikojnë në të gjithë liqenin, ashtu si zhvillimet negative në njërën anë të liqenit përkeqësojnë situatën e biodiversitetit në të gjithë liqenin. Pas viteve 1990 ka pasur disa iniciativa për rivendosjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. Në vitin 1996 dy vendet nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit që kishte për qëllim Ruajtjen e Liqenit të Ohrit, pasuar nga Marrëveshja e Përbashkët për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Liqenit të Ohrit dhe pellgut ujëmbledhës të tij miratuar në 2005 nga parlamentet respektive.
“Thesaret” e Liqenit të Ohrit në rrezik…
Liqeni i Ohrit është liqeni natyror më i vjetër (2-4 milionë vjet) dhe më i thelli në Evropë. Studiuesit tashmë kanë konfirmuar se liqeni është shtëpia e rreth 1200 lloje specieve, nga të cilat mbi 200 lloje endemike. Madje, Ohri njihet si muzeu natyror i fosileve të gjalla të specieve që u zhdukën në pjesën tjetër të botës gjatë epokës së akullit. Por, ato që ka ruajtur natyra për miliona vjet, rrezikohen nga veprimtaria e njeriut.
“Biodiversiteti shumë endemik dhe bukuria natyrore e Liqenit janë veçanërisht të prekshme ndaj ndryshimeve në cilësinë e ujit dhe ka prova alarmante për një rritje të lëndëve ushqyese që kërcënojnë ekologjinë oligotrofike të liqenit”, paralajmëron UNESCO. Specialistët ngrejnë alarmin se biodiversiteti i liqenit rrezikohet nga ndotja që vjen nga fushat e minerare të vendosura në bregliqenin shqiptar ku hekuri, nikeli, kromi, bakri dhe metale të tjera, nëpërmjet ujrave të shiut depërtojnë deri në liqen, gjë që ka sjellë rritje të niveleve të metaleve të rënda në ujrat e tij dhe gjallesat që e popullojnë atë. Edhe pse UNESCO ka lënë detyra të qarta për institucionet shqiptare për heqjen e mineraleve nga këto fusha, për specialistët gjendja konsiderohet ende alarmante. Po ashtu, ujrat e liqenit rrezikohen edhe nga ndotjet bakteriologjike, biologjike dhe kimike që krijohen nga ujrat e zeza, mbetjet urbane, plehrat kimike bujqësore të përdorura në zonat përreth, etj. Madje, sipas UNESCO, pjesës shqiptare të liqenit të Ohrit i kanoset edhe një rrezik i ri së fundi: “Projekti i parkut të kohës së lirë rreth burimeve të Drilonit dhe Tushemishtit përfshin ndërtime të tepërta në që do të ndikojë shumë negativisht në burimet që ushqejnë liqenin e Ohrit dhe që kontribuojnë në statusin e tij oligotrofik.”
Plani zhvillimor i kësaj zone, projekt i Qeverisë shqiptare, tashmë ka filluar të zbatohet dhe pritet të shihet nëse ‘frika’ e UNESCO do të rezultojë e drejtë. UNESCO rendit edhe një sërë rekomandimesh specifike për secilin shtet ku për shqipërinë bien në sy rekomandimet për mbrojtjes në kishën e Linit; marrjen e masave për zgjerimin e trajtimit të ujërave të zeza rreth liqenit, kontrollit të rrjedhjeve bujqësore në liqen, përmirësimi i objekteve të grumbulluara në muzeun e Pogradecit dhe ruajtja e materialit të zonave Palafite të banuara. Arjan Marolli, ekspert mjedisi thekson se është emergjentë krijimi i një sistemi adekuat të mbrojtjes dhe menaxhimit të liqenit të Ohrit, në mënyrë që të mos rrezikohet statusi i tij si pasuri e UNESCOs.
Rekomandimet e UNESCO-s
Pas marrjes së statusit Trashëgimi Natyrore Dhe Kulturore botërore ndërkufitare, UNESCO-s u rekomandoi Shteteve Palë ngritjen e një strukture të përbashkët menaxheriale ndërkufitare që do forcon punën bashkëpunuese ndërmjet agjencive dhe departamenteve kulturore dhe natyrore në nivel kombëtare dhe rajonal. Gjithashtu Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë iu kërkua miratimi dhe zbatimin e Planit Zhvillimor lokal.
Vendimi i UNESCO i vitit 2021 nxit dy shtetet palë të zhvillojnë një plan të detajuar Strategjik të Rimëkëmbjes me një plan veprimi me faza, dhe ta paraqesë atë tek Organet Këshillimore dhe Qendra e Trashëgimisë Botërore në shkurt 2023. UNESCO po ashtu ka kërkuar nga shtetet palë që t’i paraqesin deri më 1 shkurt 2023, një raport të përbashkët të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së pronës, duke përfshirë një raport mbi progresin e bërë në zbatimin e rekomandimeve. Pikërisht shqyrtimi i këtyre dokumentave nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e 46-të të tij, do të përcaktojë fatin e Liqenit të Ohrit. Ndryshimi i statusit nga Pasuri e Trashëgimisë Botërore në në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, rrezikon sëriozisht nxjerrjen nga lista e UNESCO të Liqenit të Ohrit, nëse institucionet përgjegjëse në të dyja anët e kufirit do të vazhdojnë të mos marrin masat e duhura bazuar në rekomandimet e vazhdueshme të UNESCO.
Organizatat mjedisore në alarm
Të shqetësuara për situatën emergjente në Liqenin e Ohrit dhe për pasivitetin e qeverive në të dyja anët për të marrë masat e duhura për mbrojtjen e kësaj pasurie, në dhjetor të 2022 tetë organizata mjedisore nga të dy vendet iu drejtuan qeverive respektive me kërkesën: “për shtyrje të përkohshme të miratimit të Planit Strategjik të Rimëkëmbjes për Trashëgiminë Botërore, Rajoni i Liqenit të Ohrit”. Vendimmarrja e UNESCO-s gjatë këtij muaji (shkurt 2023) do të bazohet edhe në këtë dokument të përgatitur nga qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Shoqatat mjedisore janë të shqetësuara për cilësinë e dokumentit të përgatitur, pasi sipas tyre ‘si cilësia e dokumentit, ashtu edhe procesi i krijimit dhe miratimit të tij, duhet te plotësojë standardet më të larta ndërkombëtare dhe të jenë në përputhje me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare respective për mjedisin”. Një dokument jocilësor do të rrezikonte statusin e Liqenit të Ohrit në UNESCO. Në të njëjtën kërkesë, organizatat shqiptare kanë theksuar ’mungesën e pjesëmarrjes publike për pjesën shqiptare të projekt-planit’.
Kërkesës për informacion që Qendra Shqiptare për Qeverisjen Mjedisore (ACEG) i ka drejtuar institucioneve përkatëse, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (në varësi të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë) i është përgjigjur që “Drafti i Planit Strategjik të Rimëkëmbjes mund të bëhet publik vetëm pas marrëveshjes ndërmjet palëve (Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë) dhe pasi t’i jetë përcjellë Qendrës së Trashëgimisë Botërore”.
I pakuptueshëm konsiderohet nga organizatat, por edhe nga ekspertët hartimi në fshehtësi dhe sekret të plotë i Planit Strategjik të Rimëkëmbjes ku ndryshe nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, Qeveria shqiptare nuk ka përfshirë në hartimin e Planit Strategjik pjesëmarrjen e publikut, në kundërshtim me kërkesat e Konventës së Aarhusit dhe rekomandimet e UNESCO-s.
Liqeni i Ohrit, një nga vendbanimet më të hershme në Evropë, pret këto ditë vendimin e UNESCO, që mund ta klasifikojë si Pasuri në Rrezik. Ndërkohë institucionet shqiptare do të vazhdojnë të fshehin sirtareve dokumenta dhe vendime që nuk kanë lidhje thjesht me të tashmen dhe të ardhmen e hartuesve dhe miratuesve të tyre, por me publikun dhe shtetasit e këtij vendi të cilëve u refuzohet madje edhe aksesi në informacion.
Shkruar nga Alma Lahe
Liqeni i Ohrit: Brenda apo jashtë listës së Pasurisë Botërore të UNESCO?! - Gazeta Dita
Ky shkrim eshte ne kuader te projektit Trajnimi i Gazetareve me ndotesit e Liqenit te Ohrit, zbatuar nga DMO ALBANIA, mbeshtetur nga Journalismfund.eu